Handikos-i ofroi mbi 700 pajisje ndihmëse në vitin 2022
Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës – Handikos përgjatë vitit 2022 me përkushtim ofroi shërbimin e pajisjeve ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara dhe gjithë qytetarët e Kosovës në nevojë.
Vetëm përgjatë vitit që lamë pas, nga Qendra e Resurseve të Handikos në Prishtinë janë ofruar mbi 700 pajisje të ndryshme që shërbejnë për lëvizje të lirë, prej tyre 50 për qind ishin karroca, pastaj paterica, shëtitore, shtretër ortopedikë etj.
Handikos gjatë asaj periudhe ka ofruar edhe shërbimet tjera si në vijim: 74 fëmijë me aftësi të kufizuara përfitues të shërbimeve ditore/javore; 1748 seanca individuale fizioterapeutike, psiko-sociale, psikologjike, ergoterapeutike dhe edukim joformal; 292 seanca individuale fizioterapeutike dhe psiko-sociale për fëmijë me aftësi të kufizuara në terren; 34 prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara, përfitues të shërbimit psiko-social; Mbi 300 këshillime ligjore, takime mbështetëse, referime, vizita në shtëpi, shërbime për jetesë të pavarur, mirëmbajtje të pajisjeve ndihmëse për persona me aftësi të kufizuara dhe familjarë të tyre.
Handikos ka njoftuar se duke u bazuar në misionin dhe vizionin e saj, por edhe në kuadër të implementimit të projekteve do të vazhdojë të shërbejë çdoherë për personat me aftësi të kufizuara, dhe jo vetëm.