“Hapat e parë në kamp”, ekspozita me pamje nga refugjatët në Çegran

16 shkurt 2025 | 08:28

Nesër, e hënë (17 shkurt) në Galerinë e qytetit të Podujevës, me fillim nga ora 18:00 fotografi nga Maqedonia e Veriut, Osman Demiri hap ekspozitën personale të fotografisë me titull “Hapat e parë në kamp”, transmeton Portalb.mk.

Ekspozita “Hapat e parë në kamp” e artistit Osman Demiri përveç të qenurit një dëshmi vizuale e një prej plagëve më të thella kombëtare, ajo është një meditim mbi esencën e vazhdimësisë njerëzore.

Në këto imazhe nuk është i shfaqur vetëm akti i mbijetesës, por edhe përpjekja e pashmangshme e njeriut për të ecur përpara edhe atëherë kur toka nën këmbë është e përkohshme.

Kuratorja e ekspozitës Vlora Demiri për Portalb.mk tha se fotografitë e Osman Demirit, fëmijët janë farat e së ardhmes, të mbjella mes rrënojave.

“Në kampin e refugjatëve të Çegranit, në vitin 1999, qindra fëmijë bënë hapat e tyre të parë në një botë që i priti pa rrënjë, por jo pa dritë. Në fotografitë e Osman Demirit, fëmijët janë farat e së ardhmes, të mbjella mes rrënojave, duke kërkuar dritën për të mbirë përtej kohës. Ata ecin mbi kohën dhe e tejkalojnë atë. Në buzëqeshjet e tyre të ndrojtura, në sytë e mbushur me pyetje si dritare drejt një bote të pakuptueshme, në lojërat e tyre mes rrobave të varura si flamuj të një fëmijërie të paqetë, ata mbajnë peshën e padukshme të mbijetesës – jo përmes forcës, por përmes çiltërsisë që refuzon të shuhet”, tha Demiri.

Demiri gjithashtu shtoi se fëmijët nuk e njohin kufirin e rrënimit. Ata nuk e pranojnë shkatërrimin si një fund, por si një boshllëk të mbushur me re letre, me thesare guralecësh… boshllëk që guxon të mbushet me ëndrra.

Afishja e ekspozitës "Hapat e parë në kamp". Foto: Fotografi Osman Demiri
Afishja e ekspozitës “Hapat e parë në kamp”. Foto: Fotografi Osman Demiri

Fotografi Osman Demiri për Portalb.mk tha se qëllimi i kësaj përmbledhjeje fotogratish ishte shkëputja e vëmendjes nga gjithë  ajo e keqe dhe ai tmerr i popullatës jashtë kufijve dhe përqendrimi tek shpresa e vetme  e tyre, te fëmijtë.

“Ajo që u shkrua dhe u tha deri më tani mbi fatin e refugjatëve kosovarë është një pikë ujë në det në krahasim me vuajtjet dhe përjetimet e tyre gjatë eksodit dhe qëndrimit të tyre nëpër kampe. Sipas të gjitha të dhënave, ata që me së tepërmi pësuan janë të fëmijët. Bota e tyre fëmijërore u përmbys që nga momenti  i arratisjes nëpër rrugët e botës. Traumat që ata i përjetuan do t’i ndjekin gjatë tërë jetës dhe do të jenë vrragë të pashlyeshme në shpirtin e tyre të njomë. Shumica e tyre i bënë hapat e parë në kamp dhe në mënyrë direkte kontribuan në vendosjen e fatit kombëtar, meqenëse ishin shpresa dhe pasuria e vetme e kosovarëve në ato memente ankthi e trishtimi.

Kjo ishte esenca e asaj që u shkrua me rastin e ekspozitës “Hapat e parë në kamp”, atëherë kur Kosovës akoma i vinte era tym e flakë, kur ënderrat e kosovarëve qëndronin pezull nëpër udhëkryqet e botës, me shpresë se një ditë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre”, tha Osman Demiri.

Afishja e ekspozitës "Hapat e parë në kamp". Foto: Fotografi Osman Demiri
Afishja e ekspozitës “Hapat e parë në kamp”. Foto: Fotografi Osman Demiri

Ai shtoi se ideja e kësaj ekspozite është që së paku në mënyrë virtuale ti ndajë skenat dhe pasojat e dhunës makabre nga jeta e sinqertë dhe e padjallëzuar fëmijërore  dhe të prezantojë një jetë sa më normale të këtyre fëmijëve në një vend ku fati i solli padrejtësisht.

“Edhe fotografitë e kësaj ekspozite, gjithashtu ishin vetëm një pikë ujë në det, në krahasim me ato që janë shkrepur dhe shpërndarë nëpër botë, por gjithësesi ishin loti më i dhimbshëm i atij vaji që quhet Kosovë 1999. Në ato çaste të rënda të Kosovës vetëm ata më të vegjëlit ishin vetvetja, vetëm ata ishin normal,kurse të tjerët, sa më të moshuar që ishin, pesha që mbanin mbi supe ishte më e madhe, gjë që vërehej në shikimet e tyre, në lëvizjet dhe gjestikulacionet që bënin, me shpresë se në një moment dikush do ti zgjonte nga ky makth. Tani, 25 vjet pas, besoj se këta tëmijë të dikurshëm, kudo që gjenden nëpër botë,  ky përjetim i hidhur i ndjek pas së bashku me pyetjen, çfaj kishim ne”, tha Osman Demiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, i paralajmëroi aleatët evropianë për…