
Hapen korridoret ajrore Kosovë-Shqipëri
Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) ka organizuar të mërkurën ceremoninë e hapjes zyrtare të korridoreve ajrore me Republikën e Shqipërisë.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni kanë qenë kryeministri Albin Kurti, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ambasadorë të vendeve të Quint-it, zyrtarët e Ambasadës së Shqipërisë, përfaqësues të KFOR-it si dhe përfaqësues të aviokompanive në Kosovë.
Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi është arritur në vitin 2020.
Kjo marrëveshje ka paraparë hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër.
Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që është dashur të miratohen nga Shqipëria dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i.
Ndryshe nga hapësira e ulët ajrore e Kosovës që menaxhohet nga AAC-ja, hapësira e lartë, ajo mbi 6 200 metra, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014 është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të “HungaroControl”-it.
Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.
Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.
Për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” udhëtojnë miliona persona brenda vitit.
Zvicra, Gjermania, Turqia, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë qenë, deri më tani, destinacionet më të shpeshta.



