Hapërimi mbi një terren të vështirë

11 shtator 2023 | 13:54

Imer Topanica

Gjuha poetike nuk synon vetëm ekonomizimin e mater­ies gjuhësore, por edhe nxjerrjen në shesh të mendimit, duke e zbukuruar këtë akt me mjete stilistike aq sa është e mundshme. Kjo vërehet veçmas te poezia e mendimit. Natyrisht, kur poeti gjakon të shprehë atë që e ndien, më shumë sesa ta stilizojë ndjenjën, sintaksa e gjuhës poetike mund edhe ta sakrifikojë pak rrafshin stilistik. Vargjet e Fitim Nuhiut duket qartë që në vetvete mbruhen nga ky lloj synimi. Vdekja është femër është metaforë që e paralaj­mëron lexuesin që në krye të herës se bëhet fjalë për një përmbledhje me tekste poetike që kanë një standard jo fort të zakonshëm.

Tone gri, që shpesh anojnë nga ato më të errëtat, e që e mashtrojnë lexuesin me një përfundim krejt befasues, si në poezinë në vijim, janë karakteristikë që përsëritet:

ÇASTE LUMTURIE

Kur shpuzoren e ke përplot me cigare;

Kur filxhanin e kafesë e ke harruar pa e pirë;

Kur tavolinën e punës e ke përplot me letra të shpërndara pa ndonjë rregull;

Kur kuzhinën e ke rrëmujë;

Kur kokën e ke të trazuar nga mendime të ndryshme;

Kur ke ndjenja të përziera;

Kur hap frigoriferin dhe kërkon gjëra që ke harruar për t’i blerë;

Kur dëgjon një muzikë që të bën me nerva herë pas here;

Kur mendon për disa njerëz që të mungojnë;

Kur shtrihesh dhe ndien kokëdhembje të lehtë;

Kur sheh motin nga dritarja dhe s’të premton për ëndrrat e tua;

Kur sheh telefonin dhe s’merr thirrjen e dëshiruar;

Kur dhoma që sheh të është pluhurosur;

Kur qesh me veten pa asnjë shkak;

Kur qan për veten për një shkak;

Përgëzime!

Ti je i lumtur!

Uni poetik, si në rastet e tjera, pëlqen të strehohet në margjina të shoqërisë dhe që andej, të observojë botën, jetën, njerëzit. Këtë madje e njeh si mision:

VUAJTJA

 Më pëlqen vuajtja,

prandaj edhe dua të jetoj;

 Më pëlqen jeta,

prandaj edhe vuaj;

 Më pëlqen të vuaj,

prandaj edhe shkruaj;

 Më pëlqen të shkruaj,

prandaj edhe vuaj.

Vargu i Nuhiut nuk është i ngarkuar me stilema. Në të shumtën e herëve ai vjen i drejtpërdrejtë, duke pro­vuar të godasë drejt e në shenjë: në nxjerrjen në pah të asaj që do ta artikulojë poetikisht subjekti rrëfyes. Për­mbledhja të lë përshtypjen se ky ishte një ndër syni­met, meqë duket që e ka përvetësuar aq sa e ka shndë­rruar në lloj stili.

Në rrafshin motivor e tematik, përmbledhja të shëtitë nga gjërat e thjeshta tek ato më të ndërlikuarat, nga imtësitë te tërësitë, nga sipërfaqet te thellësitë. Me një fjalë në një gamë të gjerë. Lajtmotivi, megjithatë, mbetet tek e errëta, vdekja, depresioni dhe e ndritshmja, jeta dhe dashuria. Shkurt, te ky oksimoron emblematik. Poeti eksploron në këtë taban, duke na e ofruar një per­spektivë të re të njohjes së botës, siç edhe e thotë vargu i poezisë Streha:

aty shoh jetën reale

dhe vetëm nga ajo pikë shoh fytyrat,

ato fytyra të vërteta e të sinqerta njerëzore.

Mund të themi se ai hapëron guximshëm mbi një terren të vështirë, ndaj e ka një përshkrim filozofik krejt origjinal.

Fjala vjen, për shumëkënd vjeshta nuk do të merrej për sinonim të dashurisë. Shpesh poetët, duke dashur ta përshkruajnë këtë ndjenjë të fuqishme, të thellë e kul­more që e përjeton njeriu, e marrin pranverën si shem­bull, por jo Nuhiu. Këtij, pjekja dhe vjelja e fryteve, i aludon në përjetësimin final të kësaj ndjenje.

Për ta përmbledhur mendimin tonë mbi librin: Vdekja është femër i dedikohet një lexuesi më të ngritur, duke qenë se provokon me ide dhe perspektiva jo të zakon­shme të njohjes së njerëzores. Shtron pyetje, përgjigjet e të cilave mund të gjenden vetëm pas diskutimesh shteruese. Dua të them se… nuk mund t’i sugjerohet gjithkujt për lexim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
?ë ??????? ?????????? ?ë ?????????? ???? Duke pasur parasysh ndjeshmërinë…