Hapet edicioni i 15-të i Festivalit “HYJNESHA NË FRON”
Një premierë dhe bisedë, muzikë e gusto
Të premten, është hap zyrtarisht edicioni jubilar, i 15-ti me radhë i Festivalit të Filmit të Gjatë dhe të Shkurtë “Hyjnesha në fron”, me premierën e filmit të shkurtë “N’sytë e Katës” nga regjisori Shkëlzen Sylejmani.
Filmi i shkurtë “N’sytë e Katës” është një film pesëmbëdhjetë minutësh me protagonist Besim Ajetin, personazhi i të cilit është një prind, në karrocë, që bën çmos ta shpëtojë të bijën e tij nga lufta dhe nga kërcënimi i paramilitarëve që kishin rrethuar vendin, përfshirë një hotel ku ishin ngujuar këta dy persona.
Filmi është një reflektim mbi luftën nga këndvështrimi i personave me nevoja të veçanta, ngase edhe preludi i filmit kur e bija e rritur, thekson sesi jeta e saj ka marrë një qëllim, e që është t’i ndihmojë njerëzit në nevojë, meqë kishte mbijetuar falë një personi të tillë.
Filmi është xhiruar në lokacionet e Fushë Kosovës, për dy vjet me radhë me aktorët: Besim Ajeti, Katarina Ajeti e Qëndresa Jashari.
Mbrëmë gjatë premierës së filmit në sallën baroke të “Kino Armata” pati shumë mysafirë të nderuar, kryesisht nga bota e filmit dhe krijimtarisë.
Ky edicion jubilar i Hn’F- së vjen me moton dhe sloganin: Ne mundemi të veprojmë më mirë, ne mundemi të bëhemi më të mirë. Pas premierës pati një ndeje me muzikë, bisedë e gusto. Kujtojmë se regjisori Shkëlzen Sylejmani ka mbajtur gjithashtu një punëtori mbi filmin në kuadër të festivalit.
Sot, gjatë ditës është shfaqur një program i tërë me filma të shkurtë, ndërsa gjatë mbrëmjes pritet të shfaqen filmat e gjatë: “Kthimi” dhe “Internimi”.
Hn’F, vazhdon edhe nesër me program, ndërsa në mbrëmjen e së nesërmes, të dielën, do të ndahen çmimet dhe statuetat e Hn’F-së për laureatët e edicionit jubilar, të pesëmbëdhjetin me radhë.
#wecandobetter
#wecanbebetter