Hapet edicioni i 19-të i Universitetit Veror të Prishtinës
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të 19-të të Universitetit Veror të Prishtinës.
Me hapjen e këtij edicioni, mes të kësaj ministrie dhe Universitetit “Hasan Prishtina” është nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi me qëllim të mbështetjes së këtij universiteti në organizimin e Universitetit Veror Ndërkombëtar.
Ministri Gashi në emër të Qeverisë së Kosovës, ka thënë se institucionet i kushtojnë vëmendje të veçantë arsimit dhe edukimit për të krijuar breza elitarë.
“Edhe me këtë edicion ndërkombëtar dhe me programin e tij shumë të avancuar akademik, Universiteti i Prishtinës, po e vazhdon traditën e hapjes ndaj arritjeve dhe vizioneve më bashkëkohore të dijeve akademike, universitare në nivel ndërkombëtar”.
“Miqtë tanë ndërkombëtar, profesorë dhe studentë nga universitetet botërore, do të kenë mundësi që edhe përmes edicionit të 19-të të Universitetit Veror dhe mikpritjes në Kosovë të njihen me arritjet jo vetëm universitare por edhe ato sociale, ekonomike e kulturore të Kosovës”, ka thënë Gashi.
Ai ka thënë se nëpërmjet Universitetit Veror Ndërkombëtar, jo vetëm Universiteti Prishtinës, por e mbarë Kosova është e vendosur që urat e bashkëpunimit universitar, akademik, shkencor ndërkombëtar, në fushën e kërkimeve t’i zgjerojë me përmbajtje të reja.
Kurse, sa i përket nënshkrimit të memorandumit, ministri Gashi, ka thënë se do të vazhdojnë mbështetjen për arsimin dhe kulturën.
“Pavarësisht se si ministri nuk e mbulojmë pjesën e menaxhimit të fushës së arsimit, në rrafshin e bashkëpunimit kulturor dhe rinor kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi gjithmonë të gatshëm dhe në këtë aspekt po mundohemi të jemi të pranishëm çdo kund me aktivitetet tona”, ka thënë Gashi.
Më tutje, ministri Gashi ka folur edhe për çështjen e Fakultetit të Arteve, duke bërë me dije synimet për ndërtimin e objektit të Teatrit, Operës dhe Baletit. Ai ka sqaruar se do të jetë një kompleks i Fakultetit të Arteve dhe sallës së Teatrit, Operës dhe Baletit për të cilin nuk do të mungojë përkrahja e Ministrisë së Kulturës.
Ndërsa, rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, është shprehur i kënaqur me nënshkrimin e memorandumit me Ministrinë e Kulturës. Me këtë rast, ai ka falënderuar ministrin Gashi për përkrahjen e dhënë, duke thënë se pret që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje.
/Epoka e re/