Hapet edicioni i 20-të i “Javëve të Frankofonisë”
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, si koordinatore vendore e rrjetit të Frankofonisë në Kosovë, së bashku me Ministrinë e Kulturës dhe përfaqësitë diplomatike të Francës, Belgjikës, Luksemburgut dhe Zvicrës, të enjten ka bërë hapjen zyrtare të edicionit të radhës, të 20-të, të manifestimit “Javët e Frankofonisë” në Kosovë.
Glauk Konjufca, ministër i Punëve të Jashtme, ka thënë se ka pasur nderin që të bëj hapjen zyrtare të “Javëve të Frankofonisë”.
“Padyshim është mundësi shumë e mirë për t’ju dhënë qytetarëve të Kosovës qasje më të lehtë që nëpërmjet muzikës, letërsisë, filmit dhe aktiviteteve tjera, të ushqejnë dashurinë e tyre për gjuhën frënge dhe kulturën frankofone”, ka thënë Konjufca.
Ambasadorja e Francës, Marie-Christine Butel, e ka falënderuar Ministrinë e Punëve të Jashtme, vendet dhe rrjetet frakofone, për programin e gjerë e të larmishëm që kanë propozuar këtë vit. “Uroj që këto aktivitete të ndryshme t’ju lënë mbresa dhe kënaqeni me kulturën frankofone”, ka thënë ambasadorja Butel, e cila në pika të shkurtra tregoi se përveç promovimit të të drejtave të njeriut, gjatë këtij edicioni do të promovohet edhe muzika e këngëtares Era Muçolli, filmat e aktores Arta Dobroshi, dhe natyrisht promovimi i gjuhës dhe letërsisë frënge.
Ndërsa, Shefi i misionit të Belgjikës në Kosovë, Jean-Louis Servais, ka deklaruar se këto javë dëshmojnë se lidhjet e Kosovës me vendet frankofone janë evidente, miqësore dhe vëllazërore. “Janë lidhje për një identitet të vlerave të përbashkëta frankofone dhe evropiane”, ka vlerësuar diplomati belg.