Hapet edicioni i dytë i “Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit 2022”
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se artistë nga trembëdhjetë shtete të rajonit dhe Evropës kanë paraqitur veprat e tyre në hapjen e edicionit të dytë të “Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit 2022” në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Sipas MKRS-së, e veçanta e këtij edicioni për këtë vit është ndërthurja e teknikave më të reja të vizatimit që aplikohen në botë.
Në ceremoninë e hapjes janë shpërblyer tre artistët më të mirë. Çmimin kryesor të Bienales “Grand Prix – Gjelosh Gjokaj” për artistin Agim Salihu e ka ndarë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili ka thënë se Bienalja Ndërkombëtare e Vizatimit 2022 është një traditë e cila begaton jetën kulturore dhe artistike në vendin tonë.
Po ashtu janë ndarë edhe dy çmime të tjera për Ake Bregqvist nga Suedia dhe Nehat Beqiri nga Maqedonia e Veriut.
Pjesë e kësaj ngjarje ishin edhe përfaqësues nga Galeria Kombëtare e Kosovës, Asociacionit të Artistëve Vizuel të Kosovës, dhe përfaqësues të Ambasadës së ShBA-ve dhe të Maqedonisë së Veriut.
Ekspozita dhe katalogu i edicionit të dytë të “Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit 2022” janë mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndërsa do të jetë e hapur për publikun deri më 12 korrik.