Hapet ekspozita “10 vjet dritë dhe liri”
Për nder të 10-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, drejtoria e Arsimit në komunën e Prishtinës në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka hapur ekspozitën me temën “10 vjet dritë dhe liri”.
Ekspozita është organizuar në objektin e Galerisë së Fakultetit të Arteve, ku në këtë ekspozitë do të prezantohen punimet e realizuar nga nxënësit e nivelit të arsimit parauniversitar të komunës së Prishtinës.
Planifikimi dhe organizimi i ekspozitës është realizuar në koordinim me drejtuesit e Fakultetit të Arteve dhe drejtuesit e institucioneve edukativo-arsimore dhe do të jetë e hapur për vizitorë deri më 16 shkurt 2018.
Në këtë ekspozitë, secili institucion edukativo-arsimore është përfaqësuar me nga tre punime, të punuar nga nxënësit e shkollave të tyre dhe tre punimet më të mira të nivelit të arsimit të mesëm të ulët dhe atij të mesëm të lartë do të shpërblehen.
Qëllimi i këtij aktiviteti, pos shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ekspozimit te punimeve të nxënësve, është edhe identifikimi i talenteve të ri, nxirrja në pah të shkathtësive e kompetencave të tyre dhe mbështetjen e tyre drejt zhvillimit të imagjinatës krijuese e profesional në fushën e artit.