Hapet ‘Ekspozita Bazë’ në Muzeun e Kosovës
Sot (e premte) hapet ‘Ekspozita Bazë’, e cila është e paraparë në kuadër të aktiviteteve të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe në të cilën do të ekspozohen artefakte dhe koleksione të objekteve të trashëgimisë dhe historisë së vendit tonë.
‘Ekspozita Bazë’ në Muzeun e Kosovës solemnisht do të hapet nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ku do t’i dhurohet Muzeut të Kosovës edhe Deklarata e Pavarësisë, e cila do vazhdojë të jetë e prezantuar në ambientet e Muzeut të Kosovës.
Një ditë më parë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Muzeun e Kosovës për t’i parë nga afër përgatitjet që po bëhen për ‘Ekspozitën Bazë’. Ministri Gashi e ka vlerësuar punën që është bërë në përgatitjen e ekspozitës duke e cilësuar si një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme e cila mundëson sjelljen para opinionit një kujtesë që nga lashtësia e deri në kohët moderne të historisë e të kaluarës sonë.
‘Ekspozita Bazë’ në Muzeun e Kosovës shpërfaq kronologjinë historike dhe narrativat tematike. Për secilin pavijon janë identifikuar tema emblematike, të cilat materializohen në formë të eksponateve dhe vijave të përcaktuara të prezantimit.
Eksponatet që do të prezantohen në këtë ekspozitë datojnë që nga koha e Neolitit deri me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës në vitin 2008.
Të gjitha këto janë artefakte të trashëgimisë së luajtshme kulturore të Kosovës dhe pasqyrojnë identitetin kulturor dhe historik të Kosovës.