Hapet ekspozita e fotografive “Yiannis and Miltos Manakia – Njerëzit prapa objektivit”
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se është hapur ekspozita periodike e fotografive “Yiannis and Miltos Manakia – Njerëzit prapa objektivit”.
“Ky është prezantimi i parë publik i një koleksioni të gjerë fotografish të realizuara nga dy vëllezërit Yiannis dhe Miltos Manakia nga Grevena e Greqisë. Përmes tyre paraqitet përditshmëria, mundi, lufta për mbijetesë, monumentet arkitekturore dhe ngjarjet historike e sociale që sinjalizuan ndryshimet e gjysmës së parë të shekullit të 20-të në të gjithë Ballkanin e më gjerë. Në kuadër të saj u prezantua edhe një film dokumentar i ndërlidhur me fotografitë e ekspozuara”, ka njoftuar MKRS-ja.
Në ceremoninë hapëse morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri Hajrulla Çeku, shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, Heleni Vakali, shefi i EULEX-it Lars-Gunnar Wigemark, ish-presidentja Atifete Jahjaga, përfaqësues të institucioneve kulturore dhe artdashës.
Organizuar nga Zyra Ndërlidhëse e Greqisë në Prishtinë dhe Muzeu “Macedonian Struggle and Modern History of Macedonia” në Selanik, ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët deri më 5 maj në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”.