Hapet ekspozita “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në veprat e artistëve evropianë”
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka hapur ekspozitën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në veprat e artistëve evropianë”, të autori Eqrem Zenelaj.
Drejtori i Agjencisë së Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj, ka thënë se bashkëpunimi me autorin Eqrem Zenelaj dhe kontributi i tij ia ka mundësuar Kosovës plotësimin e fondeve me të dhëna për Skënderbeun.
“Ky vit është shpallur vit mbarëkombëtar dhe vazhdimisht gjithandej hapësirave shqiptare i janë kushtuar ngjarje kryeheroit tonë. Në ekspozitën e sotme janë diku mbi 80 punime që janë vjelë nëpër arkiva të njohura të botës me përkujdesin e veçantë të profesorit”, ka deklaruar Manaj.
Kurse autor i ekspozitës, Eqrem Zenelaj, para të pranishmëve paraqiti disa nga faktet nga jeta dhe vepra e Skënderbeut. Ai ka thënë se Skënderbeu nuk është vetëm emblemë kombëtare por edhe e Evropës dhe e botës.
“Përveç që ekzistojnë buste nëpër shumicën e kryeqyteteve të botës, shumë autorë botërorë kanë folur për këtë figurë të lartë. Skënderbeu ishte lideri më i famshëm dhe më i pamposhtur. Këtë vit është 550-vjetori i Skënderbeut. Është spekuluar shumë rreth ditëlindjes së Skënderbeut, mirëpo ai ka lindur në vitin 1414. Unë e kam gjetur një letër ne Venedik ku thotë se Skënderbeu për nga madhësia ishte i jashtëzakonshëm”, ka thënë Zenelaj.
/Epoka e re/