Hapet ekspozita “Gratë dhe vajzat e UÇK-së”
Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë është hapur të premten ekspozita “Gratë dhe vajzat e UÇK-së” e autores/ushtares së UÇK-së, Mirvete Hasani.
Fotografitë u publikuan për herë të parë nga koleksioni i Mirvete Hasanit me bashkëluftëtare gjatë periudhës së luftës 1998/99.
Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetarë komunash, ish-luftëtarë/e të UÇK-së, ish-komandantë të UÇK-së, përfaqësues të OVLUÇK-së dhe artdashës të fotografisë.
Kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka theksuar se autorja Mirvete Hasani, ish-luftëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me dëshmitë fotografike pasqyron një pjesë të historisë sonë të lavdishme nga aktiviteti luftarak i heroinave çlirimtare të luftës së Kosovës, dhe angazhimin e barasvlershëm me burrat trima, sakrifica e të cilëve mundësuan arritjen e lirisë së shumëpritur.
“Respekt pafund për të gjitha heroinat e UÇK-së!”, ka thënë Nura.