Hapet ekspozita personale e piktorit Hajrush Fazliu
Me datë 28 dhjetor 2023, një atmosferë festive mbizotëroj në Muzeun e Kosovës në Prishtinë ku u zhvillua ceremonia e hapjes së ekspozitës personale të piktorit Hajrush Fazliu, një emër i njohur në skenën e artit të Kosovës, por edhe në planin mbarëkombëtar.
Në këtë rast, morrën pjesë një numër i madh i dashamirëve të artit, kolegëve, familjarëve dhe studentëve të cilët u mblodhën për të shijuar veprat e tij të mrekullueshme Në këtë ngjarje të veçantë, një rol të rëndësishëm luajti edhe pjesëmarrja e ambasadorit të Shqipërisë, Petrit Malaj, i cili u shpreh se ishte i lumtur dhe i nderuar të ishte pjesë e kësaj ngjarjeje.
Ai falenderoi piktorin Fazliu për për kontributin e tij të çmuar në artin dhe kulturën shqiptare dhe për miqësinë e tij të vjetër. Malaj, gjithashtu vlerësoi energjinë krijuese të piktorit, e cila shprehet në veprat e tij të bukura dhe origjinale.
Pikturat e Hajrush Fazliut, janë një shfaqje e fuqisë shprehëse që vjen nga mënyra se si ai kombinon sipërfaqet e ndritshme ngjyrore në një lojë të “shtytjes dhe tërheqjes” hapësinore.
Ai arrin një balancë dinamike midis vetive të ndryshme të ngjyrave dhe formave që përdor, duke krijuar një efekt vizual tërheqës dhe emocionues. Pra, ai krijon një atmosferë të veçantë dhe të magjepsur, ku ngjyrat flasin për ndjenjat dhe përvojat e tij si artist.
Vetë domethënia e titujve: “Imazhi oval”, “Përtej murit”, “Portrete”, “N’fokus”, “Antika”, “N’pritje” etj, përbëjnë vrullin e gjallërisë së shprehur me një gjuhë tejet origjinale krijuese dhe njëkohësiht duket sikur ato po i nënshtrohen një kohezioni kronologjik dhe kulturologjik përplot momente të ndryshme jetësore të mbishtresuara në (nën) dijen e Hajrush Fazliut.
Tërë ky spektër punimesh shfaqet nëpërmjet ritmit të veprave që janë krijuar me një teknikë të sofistikuar dhe të larmishme, duke përdorur vizatimin e fuqishëm, ndërthurjen e formave, kontrastin e ngjyrave dhe intensitetin e shprehjes. Këto elemente japin një ndjenjë të dinamizmit, të pasionit dhe të energjisë në shprehjen artistike. Fazliu, i jep formë vizionit të tij me një gjuhë të pasur dhe të gjallë që fton shikuesin të ndjekë rrjedhën e lirë dhe të harmonishme të linjave dhe ngjyrave.
Në disa nga pikturat e tij nuk mungojnë as simbolikat, siç është përdorimi I tri vezëve që simbolizojnë lindjen, jetën dhe dashurinë. Përtej gjuhës së interpretimit racional, Hajrush Fazliu në krijimet e tij bashkon ekspresionizmin tradicional (i cili herë-herë merr edhe trajta neofiguraliste) me surealizmin e fantazisë irracionale, por duke e ruajtur përgjithmonë lidhjen aluduese abstrakte në aspektin formal dhe stilistik.
Ndaj dhe thelbi i individualitetit krijues të Hajrush Fazliut, nuk vjen nga forca e ndjekjes së trendeve artistike, por nga bindja personale se si ai e kupton artin.
Me ekspozitën e tij, që shfaq një harmoni të bukur vizuale, të vendosur në hapësirat e Muzeut të Kosovës, artisti Hajrush Fazliu arriti të na ofroj një eksperiencë të mrekullueshme artistike dhe një ndjenjë festive për kremtimet e fundvitit.
Jëlldëz Asani
Historiane e artit