Hapet ‘Java Evropiane e Sportit’ në Kosovë
Komiteti Olimpik i Kosovës edhe këtë vit ka hapur “Javën Evropiane të Sportit”, që mbahet nën patronatin e ministrit në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sport, Kujtim Gashi.
Këtë herë, KOK-u ka organizuar “Forumin për Sportin”, i cili ka për qëllim të mbledh të gjithë përfaqësuesit e lartë të sportit, kontribuuesit, biznesmenët, institucionet qendrore dhe ato lokale, gazetarët sportivë, dhe të gjithë ata që kanë kontribuuar në forma të ndryshme në sport, në mënyrë që bashkërisht të diskutojnë problemet e shumta që preokupojnë sportin, klubet, sportistët tanë, si dhe komunat.
Temat të cilat janë diskutuar gjatë këtij forumi përfshijnë: Ligji për Sponsorizim; Kategorizimi i Sportit, Sportistëve dhe Trajnerëve; Qeverisja e Mirë në Sport; Barazia Gjinore, etj.
Të pranishëm kanë qenë ministri Gashi, i cili ka bërë hapjen e forumit, personalitete të larta nga sporti, drejtues të federatave, komunave, Administrata Tatimore e Kosovës, biznesi, gazetarë sportivë, etj. Në fjalën hapëse të këtij forumi ministri Gashi u shpreh se këto aktivitete zhvillohen me qëllim që qytetarët e Kosovës të merren më shumë me aktivitete fizike dhe sportive, të cilat do të organizohen në kuadër të “Javës Evropiane të Sportit”.
“Java Evropiane e Sportit” sivjet shënon 5 vjetorin e themelimit dhe mbahet në vende të ndryshme të Evropës. Sivjet janë planifikuar rreth 84 ngjarje për 8 ditë sa do të zhvillohet java, ku planifikohet të marrin pjesë rreth 2 mijë persona. Ndërsa kryetari i Komuniteti Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tregoi arsyen se pse kanë vendosur të mbahet ky forum. Ai tha se ka shumë çështje rreth kësaj teme që duhet ngritur. “E patë se vitin e kaluar e kemi pasur forumin për barazi gjinore dhe gjithëpërfshirëse, por kësaj radhe kemi vendosur për këtë forum pikërisht për të ngritur disa tema me të cilat preokupohet komuniteti i sportit, të cilat i keni në rend të ditës”, tha Hasani.
Kujtojmë se “Java Evropiane e Sportit” në Kosovë po mbahet për të dytën herë./ksp/