Hapet java ndërkombëtare e parasë në Kosovë
Është hapur sot “Java ndërkombëtare e parasë në funksion të edukimit financiar”.
Në hapje të kësaj jave është nënshkruar një memorandum mirëkuptimi në mes të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) në kuadër të edukimit financiar.
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka thënë se “Java ndërkombëtare e parasë në funksion të edukimit financiar”, ka për qellim krijimin e kulturës financiare.
“BQK-ja është e përkushtuar në rritjen ekonomike në vend, posaçërisht e përkushtuar në mbrojtje të konsumatorit”, ka thënë Mehmeti.
Ndërsa, ministri i MAShT-it, Shyqiri Bytyqi, ka bërë me dije se shumë shpejt së bashku me BQK-në do t’i shpërndajnë tekstet shkollore që kjo fushatë të jetë afatgjatë dhe të arrijë cakun e synuar.
“Ne kemi nevojë të kemi një pjesë të mirë të edukimit për shfrytëzimin e parasë. E veçanta e kësaj jave ka të bëjë edhe me ndarjen e çmimeve që kanë marrë pjesë në konkursin ‘Mëso, kurse, fito’. Ne si institucion jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me çdo institucion që synon rritjen e cilësisë të sistemit arsimor”, është shprehur Bytyqi.
Në anën tjetër, Marco Mantovanelli nga Banka Botërore, ka thënë se edukimi financiar është element shumë i rëndësishëm për të arritur gjithëpërfshirjen financiare.
Më tutje, Patric Etienne nga sekretariati shtetëror i Zvicrës për çështje ekonomike (SECO), ka thënë se çdo angazhim në remitenca do të sjellë rezultate të mira.