Hapet kompania më e re në vend Carvago nga Gjirafa

19 shkurt 2024 | 16:40

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë e përurimit të kompanisë më të re në vend Carvago by Gjirafa, në të cilën ishte e pranishme edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Kompania Carvago është produkt i partneritetit ndërmjet kompanisë së teknologjisë digjitale, Gjirafa dhe kompanisë Carvago Holding nga Republika Çeke.

Ceremonia përuruese u zhvillua në hapësirat e Parkut Teknologjik “Tech Park”, në Bërnicë të Poshtme.

E konsideruar si njëra ndër arritjet e radhës sa i përket fushës së teknologjisë dhe inovacionit, Gjirafa shquhet si një ndër kompanitë me rritjen më të shpejtë në tregun kosovar dhe jashtë saj.

fotografia e kryeministri

“Suksesi i Gjirafës është shembull i fuqisë transformuese të inovacionit, duke treguar se kompanitë vendore mund të konkurrojnë në tregun global”, është shprehur kryeministri Kurti.

Për të nxitur zhvillimin sa më të madh të inovacionit dhe rritjen gjithmonë e më shumë në rrjetin e teknologjisë informative, kryeministri Kurti, tha se po investojnë në nisma si Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve, që ndodhet në Prizren dhe Parku i Teknologjisë Digjitale në Bërnicë.

“Teksa përurojmë partneritetin ndërmjet Gjirafës dhe Carvago-s, le të festojmë edhe suksesin kolektiv të sektorit të teknologjisë digjitale në Kosovë”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se inovacioni dhe ndërmarrësia janë gurthemeli i progresit ekonomik dhe ato luajnë një rol kyç në formësimin e prosperitetit të vendit tonë dhe se bashkëpunimi ndërmjet Gjirafës dhe partnerit të tyre çek, është një dëshmi e besimit në rritje të kompanive ndërkombëtare në potencialin e vendit tonë.

Para të pranishmëve, kryeministri Kurti, teksa i përgëzoi dhe shprehu falënderimet e tij për investitorët për këtë arritje të re në fushën e teknologjisë, shtoi se suksese dhe bashkëpunime të tilla janë frymëzim për të gjithë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se janë duke…