Hapet konkurs për 62 pozita në UP
Pas një debati të gjatë është miratuar shpallja e konkursit për 62 pozita profesorësh në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në mbledhjen e Senatit të Universitetit të Prishtinës është miratuar pas shumë diskutimeve konkursi për 62 pozita në këtë institucion arsimor.
Në mbledhjen e Senatit, rektori Marjan Dema, ka thënë se konkursi është hapur për pozitat e profesorëve të pensionuar dhe pozita të reja.
“Kësaj radhe kemi 62 pozita. Ka pozita që janë pensionuar profesorë dhe pozita të reja që e kemi pa të nevojshme”, ka thënë Dema, raporton “kallxo.com”.
Dema ka kërkuar diskutim për këtë konkurs me qëllim të transparencës dhe miratim të tij pas diskutimeve.
Ai ka bërë me dije se njësitë akademike kanë dërguar kërkesa për 293 pozita, por sipas tij UP-ja lëngon për mungesë buxheti dhe staf akademik e joakademik.
Bujar Dugolli, dekani i Fakultetit i Filozofik ka kundërshtuar reduktimin e pozitave të kërkuara nga kjo njësi akademike, por është pajtuar me konkursin duke përdorur shprehjen “më mirë pak se hiq”.
Ai ka thënë se nuk duhet të ketë dallim mes stafit të rregullt dhe të angazhuar si dhe mes njësive akademike.
Dugolli ka kërkuar që në konkurs të futet edhe një pikë me të cilën përjashtohen ata që janë dënuar për vepra penale, ndërsa është ankuar se Këshilli Drejtues i UP-së nuk po takohet me dekanët.
Në mbledhjen e Senatit të UP-së, Avdi Puka, senator nga Fakulteti Juridik, ka kërkuar që të mos jenë pjesë e konkursit pozitat e atyre që po përballen me gjykatat. Të njëjtën gjë e ka mbështeti edhe rektori Dema.