![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/07/fsk1.jpg)
Hapet konkursi për pranimin e 840 ushtarëve të FSK-së
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë me dije se të enjten është hapur konkursi për rekrutimin e 840 ushtarëve të rinj në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Mehaj në një konferencë për media, ka thënë se ky është konkursi për rekrutimin e numrit më të madh të ushtarëve.
“Sot zyrtarisht shpallim konkursin për pranimin e 840 ushtarëve të rinj të FSK-së. Ky është konkursi për pranimin e numrit më të madh të ushtarëve të FSK-së deri më tani dhe i ftoj të gjithë të rinjtë që të aplikojnë. Ministria e Mbrojtjes garanton proces fer e transparent. Do të zgjidhen më të mirët prej më të mirëve”, ka thënë Mehaj.
Më tutje, Mehaj ka thënë se ka marrë mbështetje të fuqishme për Kosovën, nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes.
“Departamenti Amerikan i Mbrojtjes na ka konfirmuar fuqishëm përkrahjen për Kosovën si partner dhe eksportues për paqe në nivel global. Gjithashtu mora rikonfirmimin e plotë drejt integrimit euroatlantik si dhe ndërtimin e FSK-së në nivelin ushtarak”, ka thënë Mehaj.
Ai ka shtuar se në të gjitha takimet që ka pasur ka shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit edhe më tej në të gjitha fushat.
“Ne do jemi përkrahë ShBA-së aty ku ka nevojë”, ka thënë Mehaj.