Hapet konkursi për pranimin e studentëve në konvikte
Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” ka hapur konkursin për pranimin e studentëve për banim në konvikte dhe për ushqim në mensë, për vitin akademik 2018/2019.
Konkursi do të jetë i hapur deri më 13 shtator.
“Studentët të cilët do të aplikojnë për strehim dhe ushqim në Qendrën e Studentëve, aplikimin do ta bëjnë përmes sistemit online, në adresat zyrtare të QS, webfaqes qs.rks-gov.net dhe profilit zyrtar ‘Facebook’ Qendra e Studentëve-Prishtinë”, ka njoftuar Qendra e Studentëve.
Sipas këtij njoftimi, në konvikte do të pranohen rreth 4 mijë studentë.
“Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës këtë vit do të pranojë rreth 4000 studentë, për të cilët ofron strehim, ushqim si dhe hapësirat për lexim,studim, sport dhe aktivitete tjera të ndryshme. Mënyrat e përzgjedhjes së kandidatëve të cilët do të fitojnë të drejtën për strehim dhe ushqim do të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara me konkurs. Çmimi do të jetë 35 euro për muaj (20 euro banimi, 15 euro ushqimi)”, ka njoftuar kjo qendër.
/Epoka e re/