Hapet konkursi për pranimin e studentëve të UP-së në Qendrën e Studentëve
Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës (UP) e ka hapur konkursin për pranimin e studentëve për banim në konvikte dhe për ushqim në mensë për vitin akademik 2023/2024.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se konkursi do të jetë i hapur prej datës 12.09.2023 deri më datën 18.09.2023.
Studentët të cilët do të aplikojnë për strehim dhe ushqim në Qendrën e Studentëve, aplikimin mund ta bëjnë përmes sistemit Online, në adresat zyrtare të QS, ueb faqes qs.rks-gov.net dhe profilit zyrtar Facebook Qendra e Studenteve-Prishtine.
Qendra e Studentëve këtë vit do të pranojë rreth 4000 studentë. Qendra e Studentëve ofron strehim, ushqim si dhe hapësirat për studim
Po ashtu, studentët e rregullt të UP-së, kanë mundësi të aplikojnë veçmas për të fituar të drejtën për t’u ushqyer në mensën e studentëve.
Kriteret për të aplikuar janë të njëjta sikurse për aplikim për konvikt.
Numri i studentëve që do të përfitojnë për ushqim në mensë është 1,500 student. Mënyra e përzgjedhjes së studentëve të cilët do të fitojnë të drejtën për strehim dhe ushqim do të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara me konkurs. Çmimi do të jetë 35 € për muaj (20€ banimi, 15 € ushqimi).