Hapet Liga e Shkollave, synohet zbulimi i talenteve të futbollit

30 prill 2025 | 16:16

Liga e Shkollave të Prishtinës është projekti i ri sportiv dhe edukativ që synon të kultivojë talentet e reja dhe të forcojë frymën e garës së ndershme mes nxënësve. Kjo ligë, e cila krijohet nga bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, synon të jetë një platformë për zbulimin e yjeve të ardhshëm të futbollit dhe të promovojë sportin si vlerë edukative e shoqërore.

Kryetari i FFK së, Agim Ademi, në hapjen zyrtare theksoi se ky program që po nis në kryeqytet do të shtrihet në të gjithë Kosovën. Ai shtoi se qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është që nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme ta kenë sportin si aktivitetin e tyre kryesor dhe të qëndrojnë sa më larg përdorimit të tepruar të pajisjeve teknologjike. Ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se kjo ligë është një nismë e mrekullueshme pasi që ajo i kontribuon mirëqenies së shëndetit fizik dhe mendor, si dhe ofron mundësi që të hulumtohen dhe identifikohen talentet e rinj të futbollit.

Ndeshja e parë e kësaj lige u zhvillua ndërmjet SHFMU “Dardania”-SHFMU “Faik Konica”, derisa në vazhdim, pjesë e kësaj lige do të jenë gjithsejtë 44 shkolla fillore dhe 13 të mesme me mbi 500 nxënës të përfshirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Selektori i Kosovës në hendboll, Bujar Qerimi, ka shpallur të…