Hapet Muzeu i Burgut të Prishtinës, ministri Çeku: Lirinë e shtetit ua kemi borxh të burgosurve politikë
Në ambientet e ish-ndërtesës së Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, është hapur Muzeu i Burgut të Prishtinës, si dhe ekspozita e përkohshme “Burgu i Idealit”.
Në këtë ceremoni, kanë marrë pjesë edhe ministri i kulturës, Hajrullah Çeku si dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Më këtë rast, ministri Çeku tha se ekspozita do të jetë e hapur për të gjithë ata që duan ta kuptojnë historinë e rezistencës politike.
“Nga një qendër paraburgimi po e shndërrojmë në qendër dokumentimi të kujtesës sonë kolektive të rezistencës të aktivistëve”, theksoi Çeku.
“’Burgu i Idealit’ hap dyert dhe nuk do të mbyllen më. Do të jenë të hapura për gjithë, për të kuptuar historinë e rezistencës politike… në këtë qendër hyhej pa e ditur se a do të dilej jashtë apo a do të dilej gjallë”.
Tutje, Çeku vlerësoi sakrificën e të burgosurve politik, të cilës ia la edhe meritat për lirinë e shtetit.
“Sot i përkulemi sakrificës së mijërave të burgosurve politik, që kanë vuajtur nëpër burgjet në Kosovës e Serbisë e i shprehim mirënjohjen tonë për kontributin e rezistencën”
“Këtë histori duhet t’ua tregojmë fëmijëve të gjithë qytetarëve që sakrifica e rezistenca e ish të burgosurve politik të mos harrohet kurrë. Këtë duhet t’ia themi gjithë botës”
“Për lirinë e shtetit qe e gëzojmë këtë angazhim ua kemi borxh të gjithë të burgosurve politikë shqiptarë”, u shpreh ai.
Në emër të Shoqatës së të Burgosurve, Hydajet Hyseni, tha se ky muze mund t’i shërbejë Prishtinës si një objekt reflektues e përkujtues, raporton Ekonomia Online.
“Uroj që duke kthyer burgun në një muze te ri, edhe Prishtina jonë ta ketë një objekt reflektues e memorial përkujtues. Falim por nuk harrojmë! Mini-ekspozita është vetëm një pjesë shumë e vogël simbolike. Të flasësh për burgun muze do të thotë të flasësh për të burgosurit tanë… ish të burgosurit, ku bëj pjesë edhe unë”.
“Imazhi dhe pamja e jashtme ishte e rrejshme dhe mashtruese, njeriu është dënuar të jetë i lirë dhe të zgjedh… Por për njeriun rob e me shpirt lirie esenca ishte paqësore në raport me ekzistencën” Fare është folur për anën tjetër të medaljes, për dimensionin e lirisë në pranga. Pamja e këtyre qelive ka qenë ndryshe”, u shpreh ai.
Tutje, Hyseni foli për ashpërsinë e burgut dhe uroi që të mos ketë më të burgosur politikë.
“Në burg shiheshin ëndrrat më të mira, por të rënët nuk na pyesin çfarë ëndrra po shihen tani. Burgu është ferr boshllëk, por burgu nuk është vetëm torturë, çka është tortura mentale e shpirtërore”.
“Urojmë që kurrë të mos kemi të burgosur politikë. Urojmë që bashkërisht të mos kemi luftëtarë lirie që përballen me padrejtësi”, theksoi Hyseni.
Muzeu do të jetë i hapur çdo ditë prej orës 10:00 deri 19:00, përveç ditës së hënë.