Hapet një tjetër vendkalim kufitar në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut
Të dielën është hapur vendkalimi kufitar në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në pikën Restelicë – Strazmir.
Ky vendkalim thuhet se do të ndihmojë edhe më shumë në bashkëpunimin mes dy vendeve.
Pika kufitare Restelicë – Strazimir është planifikuar të veprojë nga 18 korriku deri më 1 shtator të këtij viti, me orë pune nga ora 08:00 deri në orën 20:00, shkruan “Epoka e re”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ky rajon kufitar gjithnjë ka kultivuar marrëdhënie të mira në mes të banorëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se duhet angazhim për lehtësimin e jetës dhe veprimtarisë së tyre.
“Si dy vende fqinje ne kemi marrëdhënie të mira ndërshtetërore. Dy shtetet tona gëzojnë marrëdhënie historike, politike, ekonomike dhe kulturore të cilat e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin tonë. Ky rajon ndërkufitar gjithmonë ka kultivuar marrëdhënie të veçanta në mes banorëve të dy vendeve. Bashkëjetesa e mirë e qytetarëve tanë nga dy zonat, përkundër kufijve, na shtyn të angazhohemi për lehtësimin e jetës dhe veprimtarisë së tyre. Kjo do të hapë mundësi të reja të zhvillimit dhe bashkëpunimit në mes dy vendeve tona në sektorë të ndryshëm”, ka thënë ai. Sveçla ka shtuar se do të jetë vigjilent dhe nuk do të lejojnë që bashkëpunimi i mirë në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut të dëmtohet nga askush.
Në ceremoninë e hapjes së këtij vendkalimi i pranishëm ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovki, i cili tha se bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës në kontrollin e vijës kufitare nga viti në vit shënon një përparim evident.
“Siguria kufitare, së bashku me transferimin e lirë dhe të papenguar të mallrave dhe udhëtarëve përtej kufijve, janë objektivat kryesorë të sistemit të integruar të menaxhimit të kufirit, por edhe të bashkëpunimit rajonal dhe, mbi të gjitha, dypalësh kufitar”, ka thënë Spasovki, duke shtuar se Maqedonia e Veriut mbetet e hapur për të gjitha iniciativat, programet, aktivitetet rajonale dhe evropiane që janë në interes të të gjithë qytetarëve të këtij shteti, por edhe të qytetarëve të rajonit dhe lagjes.