Hapet Panairi i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur
Të premten në platenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë është hapur edicioni i dytë i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në këtë panair janë paraqitur rreth 1 000 tituj nga fusha e letërsisë, gjuhësisë, historisë, etnologjisë, estetikës, filmit dhe teatrit.
Në kuadër të këtij organizimi të panairit, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë janë hapur ekspozitat “Bëje ose vdis!: kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Ukshin Hotit” dhe “Vullkani i Republikës: përjetimi i demonstrative të Prishtinës të vitit 1981 në Tiranë”.
Në ceremoninë e hapjes fjalën e morën Bedri Zyberaj, kryeshef i Agjencisë Shtetërore i Arkivave të Kosovës, Ardit Bido, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe kryetari i Asociacionit të Letrarëve dhe Artistëve Art Club “Rifat Kukaj”, Izet Abdyli, bartës i këtij projekti. Po ashtu, në hapje të panairit morën pjesë edhe zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sejnur Veshall, këshilltari i ministrit Hajrulla Çeku, Onur Canhas dhe zyrtarja për mbikëqyrje të projekteve kulturore mbështetur nga Ministria e Kulturës, Valbona Lushtaku.
Gjatë ditëve të panairit do të organizohen edhe këto aktivitete:
Më 30 korrik, në orën 13.00, në hollin e Teatrit Kombëtar organizohet takim me kryeshefin e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido.
Po më 30 korrik, në orën 13.00, në ambientet e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës organizohet punëtoria, për palët e interesuara, për restaurimin e librit të vjetër, të rrallë, të përdorur dhe të dëmtuar.
Më 31 korrik, në orën 13.00, në hollin e Teatrit Kombëtar, bëhet promovimi i katalogut të “Librit të vjetër, të rrallë dhe të përdorur”.
Më 31 korrik, në orën 13.00, po në hollin e Teatrit Kombëtar, organizohet takim me profesorin, studiuesin dhe poetin Sali Bashota dhe me shkrimtarin Adem Gashi.
Më 1 gusht, në hollin e Teatrit Kombëtar, me fillim nga ora 13.00, organizohet ora poetike me aktorin Bislim Muqaj, i cili do të interpretojë 13 poezi të 13 poetëve shqiptarë.
Po më 1 gusht, aty në hollin e Teatrit Kombëtar, me fillim nga ora 13.00, organizohet takim me poetin e mirënjohur Xhevdet Bajraj.
Panairi i veçantë dhe ekspozitat mjaft të rëndësishme me temë historikë janë të hapura deri më 1 gusht.