Hapet panairi i prodhimeve bujqësore në Ferizaj
Organizuar nga Iniciativa për Komunitetin e Kosovës (IKC) në bashkëpunim me Drejtorinë e Bujqësisë të Komunës së Ferizajt, këtë të enjte është bërë hapja e panairit me prodhime bujqësore.
Nga afër fermerët që po marrin pjesë në këtë panair i ka vizituar edhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, së bashku me nënkryetarin Naim Feratin, si dhe drejtorët e drejtorive komunale.
Me këtë rast, Agim Aliu ka theksuar se ky panair është mundësi e mirë për fermerët që t’i promovojnë produktet vendore.
“Ky panair më bëri të ndihem jashtëzakonisht mirë e falënderues për punën dhe angazhimin që bëjnë këta fermerë të palodhur, këta fermerë që i kam çmuar dhe do t’i çmoj gjithmonë, sepse janë pjesa që jetojnë tamam me djersën e tyre”, ka thënë Aliu. Ndërsa Ekrem Bajrami, drejtor ekzekutiv i Organizatës Iniciativa për Komunitetin e Kosovës (IKC), ka thënë se në këtë panair janë duke marrë pjesë mbi 50 fermerë me produktet e tyre. Ky panair do të jetë treditorë, ndërsa po organizohet në kuadër të “Ditëve të Diasporës Ferizaj 2018”.
/Epoka e re/