Hapet panairi i produkteve bujqësore
Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës kanë hapur Panairin e Produkteve Bujqësore dhe Agroindustriale “Prishtina 2023”.
Në këtë organizim u vu në theks rëndësia e promovimit të produkteve vendore, derisa u bë thirrje për mbështetjen e tyre.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se ky panair ka rëndësi jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin, meqë sipas tij ka relevancë ekonomike, strategjike dhe sociale, kështu duke përmirësuar imazhin e Kosovës.
Ai ka thënë se ky panair do ta shndërrojë Prishtinën në një qytet të rajonit, derisa u shpreh i lumtur për bashkëpunimin me Komunën e Prishtinës dhe USAID-in, për të mundësuar një organizim të tillë.
Nënkryetari i kryeqytetit, Alban Zogaj, ka thënë se ky panair do të sjellë atmosferë në Prishtinë, derisa shtoi se i njëjti do të jetë ‘një shesh i talentit tonë të krijimit dhe pasionit të prodhimeve vendore’.
Ai u bëri thirrje qytetarëve ta vizitojnë panairin, duke potencuar se “çdo blerje e prodhimit vendor është fuqizim i ekonomisë vendore”. (kp)