Hapet Panairi i Punës në Gjakovë
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) me mbështetje të GIZ-it gjerman kanë hapur të premten Panairin e Punës në Gjakovë.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica gjatë hapjes së panairit ka pohuar se ky panair do t’u shërbejë bizneseve që të takojnë punëtorë cilësorë dhe të kualifikuar, të cilët kanë shkathtësi e aftësi profesionale në përputhje me nevojat e tregut të punës dhe bizneseve, si dhe punëkërkuesve potencial për t’i prezantuar aftësitë e tyre profesionale dhe për t’u punësuar.
“Me qëllim të përmirësimit të punësueshmërinë në vend, ndër prioritet kryesore të MPMS-së është përkrahja e krijimit të vendeve të reja të punës, qoftë në punësim të rregullt, nëpërmjet Masave Aktive të Tregut të Punës, por edhe në përgatitjen profesionale të fuqisë punëtore”, ka thënë ministri Reçica.
Ministri ka thënë se nëpërmjet Panairit të Punës në Gjakovë, shumë punëmarrësve, përkatësisht të rinjve, do t’u ofrohet mundësia që të gjejnë një vend të qëndrueshëm pune, të angazhohen në praktikë në punë, por edhe të përfitojnë për të konkurruar në vende të ndryshme pune.
/Epoka e re/