Hapet Panairi Ndërkombëtar ‘Agrokos’, marrin pjesë edhe kompani nga Bosnja e Hercegovina
Panairi Ndërkombëtar i Agrobiznesit, Ushqimit dhe Pijeve “Agrokos”, është hapur të mërkurën në Prishtinë, në sallën “1 Tetori”, në të cilin po marrin pjesë mbi 100 kompani nga vendi, rajoni dhe më gjerë.
Ky panair do të jetë i hapur tri ditë dhe është cilësuar si mundësi e mirë për promovim të produkteve por edhe për lidhje kontraktuale të bizneseve nga ana e pjesëmarrësve.
Bekim Xhafa organizator i këtij panairi, ka thënë se Panairi Ndërkombëtar i Agrobiznesit, Ushqimit dhe Pijeve “Agrokos” është mundësi e mirë për bizneset vendëse që të promovojnë produktet e tyre, si dhe është transformuar në pikëtakim të domosdoshëm të bizneseve ndërkombëtare që dëshirojnë të shtrihen në tregjet e Ballkanit.
“Pa dyshim këto vite i kemi bërë bashkë dhe dua të falënderoj partnerët dhe shoqatat e bizneseve që vijnë nga rajoni dhe ato vendëse. Nuk kanë munguar as produktet që vijnë nga Shqipëria ku për këto vite kanë sjellë eksperienca të ndryshme”, është shprehur ai, përderisa ka thënë se përkundër premtimeve nga qeverisja e ardhshme që do të marrin pjesë në këtë panair, kjo gjë s’ndodhi. “Qeveria në ardhje na ka premtuar që vijnë, por siç duket nuk janë gati të marrin përgjegjësi, por ne i fusim në përgjegjësi”, ka deklaruar Xhafa.
Po ashtu, edhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Federatës së Bosnjës, Emir Pashiq, ka thënë se në këtë panair po marrin pjesë 17 kompani nga ky shtet, sipas të cilit shprehin interesim për bashkëpunim. Ndërsa, përfaqësuesja e Odës së Afarizmit të Kosovës, Qëndresa Ibrahimi, ka thënë se ky panair është një ngjarje me rëndësi për zgjerim të biznesit dhe krijimit të kontakteve me partnerë.
Ajo ka ftuar bizneset që t’i japin prioritet edhe sektorit të bujqësisë, ngaqë është shtytës i zhvillimit. Gjithashtu pjesë e këtij panairi janë edhe kompani që merren me paketimin, ambalazhimin e produkteve bujqësore, si dhe institucionet shtetërore e financiare që me politikat e tyre ndikojnë në zhvillimin e sektorit të agrobiznesit.
Panairi i edicionit 19-të do të jetë i hapur prej 23 deri më 25 tetor.