Hapet Panairi Regjional i Bujqësisë ‘Mitrovica 2018’
Më shumë se 30 biznese të rajonit të Mitrovicës kanë ekspozuar produktet e tyre bujqësore dhe artizanale në Panairin e Bujqësisë që u mbajt sot në Mitrovicë, ku u tha se prodhuesit kosovarë për dallim nga vitet e mëparshme, kanë zgjeruar gamën dhe kanë ngritur cilësinë e prodhimeve bujqësore.
Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, duke lavdëruar fermerët se nuk u dorëzuan asnjëherë përballë sfidave të shumta, premtoi mbështetje të fuqishme dhe të vazhdueshme për ta.
“Edhe pse ballafaqoheni gjithmonë me sfida, ju fermerët asnjëherë nuk jeni dorëzuar. Si pjesë e komunës së Mitrovicës jam i kënaqur që gjithmonë brenda mundësive jemi munduar të mbështesim fermerët e regjionit tonë, e posaçërisht të komunës së Mitrovicës…Ndihmat e tilla nuk do të mungojnë asnjëherë sepse bëhet fjalë për fermerët, bukën, sofrën tonë…Dera e kabinetit të komunës do të jetë e hapur, shpresoj siç ka qenë gjithmonë, për të gjithë ata që duan të punojnë”, ka thënë Mujka.
Në emër të Unionit të Shoqatave të Fermerëve të Rajonit të Mitrovicës, foli Zymer Bajraktari, i cili potencoi se prodhimet vendore duhet të zënë vendin kryesor në Kosovë. “Uroj që këto dy ditë të shërbejnë si motiv për të gjithë ne dhe konsumatorët që prodhimet vendore duhet të zënë vendin kryesor në sofrat tona”, theksoi Bajraktari.
Sabit Ferizi, nga Drejtoria e Bujqësisë së Skenderajt, ka thënë se përmes panaireve zhvillohet dhe nxitet bujqësia intensive. “Me pjesëmarrje në panaire ju të nderuar prodhues njoftoheni mes vete dhe shkëmbeni përvoja, me qëllim të zhvillimit dhe nxitjes së bujqësisë intensive”, tha ai.
Ndryshe, ky Panair që do të zgjasë për dy ditë radhazi, u organizua nga Unioni i Shoqatave të fermerëve të regjionit të Mitrovicës në bashkëpunim me komunat e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt.