Hapet Panairi i Shkencës dhe Kulturës 2018
Në ambientet e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë është hapur Panairi i Shkencës dhe Kulturës 2018, që tashmë është bërë tradicional dhe që organizohet nga nxënësit e Gjimnazit “Frang Bardhi”.
Në panairin e sivjetmë marrin pjesë edhe nxënësit e shkollave tjera të mesme të Mitrovicës.
Anëtarët e Këshillit organizativ Rexhep Avdiu dhe Endrit Haliti thanë se në panair do të tregohen vlerat e nxënësve që kanë arritur në lëndët shkollore si Kimi, Fizikë, Biologji, Astronomi dhe sektori multimedial e teknologji. Po ashtu, do të tregohen edhe vlera nga kultura e muzika, si dhe do të ketë aktivitete nga fusha e bamirësisë.
Panairin e vizituan edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci.
Kryetari Bahtiri e cilësoi këtë panair si ngjarje me rëndësi për qytetin për dëshmimin e punës së madhe që bëhet në këtë shkollë si burim i dritës dhe edukimit. “Puna juaj është tregues i mirë i aktiviteteve dhe angazhimit që bëhet në këtë shkollë, andaj ju do të keni mbështetjen e vazhdueshme edhe në të ardhmen për organizime të këtilla, sepse në ju mbetet e ardhmja e vendit”, ka deklaruar Bahtiri.
Ndërkaq, drejtori i gjimnazit Ismet Ferizi ka shprehur kënaqësinë që nxënësit e kësaj shkolle, ashtu sikur edhe në të kaluarën, me këtë organizmin pasqyrojnë punën e madhe që bëhet në këtë tempull të dijës në drejtim të edukimit dhe arsimimit të gjeneratave të reja.
Në këtë panair, i cili do të zgjasë tri ditë, po marrin pjesë rreth 200 nxënës, të organizuar në 28 sektorë.
Panairi qysh në ditën e parë ka zgjuar interesim të madh tek të rinjtë dhe qytetarët tjerë të Mitrovicës. Organizatorët presin që panairin ta vizitojnë rreth 6.000 qytetarë.