Hapet parkingu i parë publik në Prizren
Prapa Shtëpisë së Bardhë në Prizren, të martën është hapur parkingu i parë publik me kapacitet prej 100 veturave.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë me dije se ky parking do të jetë falas për qytetarët që parkojnë automjetet.
“Për shkak të afërsisë nga qendra historike, parkingu do të shërbejë veçanërisht për vizitorë dhe afaristë të Çarshisë së Bazhdarhanes, duke e zbutur kështu një problem shumë të theksuar për zhvillimin e turizmit dhe të afarizmit për 400 dyqane që veprojnë në këtë zonë. Deri në fund të vitit, kemi paraparë që parkimi në këtë lokacion të jetë falas për tri orë, ndërsa në të ardhmen do të caktohet një tarifë, gjithsesi shumë e volitshme”, ka thënë Haskuka.
Ai ka bërë me dije se në të ardhmen planifikojnë të ndërtojnë një parking nëntokësor në Prizren.
“Në të ardhmen në këtë lokacion planifikojmë të ndërtojmë një parking nëntokësor për 400 automjete, gjë që do të bënte një zgjidhje të përhershme për vizitorët në këtë zonë”, ka deklaruar Haskuka.
/Epoka e re/