Hapet pika e re kufitare Kosovë-Maqedoni, Hoxhaj thotë se kjo pikë do t’i përafrojë edhe më shumë shqiptarët
Zëvendëskryeministri në detyrë, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes se pikës se kufitare në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Hoxhaj ka thënë se kjo pikë kufitare do t’i përafrojë edhe më shumë shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe do t’i fuqizojë edhe më shumë marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Jam i lumtur që, sot, më në fund, pas shumë vitesh ngecje, u hap pika kufitare ndërmjet Kosovës e Maqedonisë së Veriut, në Stanqiq-Bellanoc. Kjo pikë kufitare do t’i përafrojë edhe më shumë shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe do t’i fuqizojë edhe më shumë marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, jam i bindur se do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik të të dy zonave kufitare të dy komunave, Gjilanit dhe Likovës”.
“Hapja e kësaj pike kufitare të përbashkët ishte ëndërr e qytetarëve të këtyre komunave kufitare, e cila tani do të mundësojë një lëvizje më të lehtë të banorëve duke e shkurtuar dukshëm rrugën që bëjnë banorët e këtyre zonave dhe do t’u sigurojë atyre mirëqenie e prosperitet ekonomik. Falënderoj zëvendëskryetarin për Çështje Evropiane të Qeverisë maqedonase, Bujar Osmanin, për bashkëpunimin dhe angazhimin e tij që nga fillimi, që ky projekt të jetësohet dhe t’u vije fundi pritjes së gjatë të qytetarëve”, ka shkruar Hoxhaj.
/Epoka e re/