Hapet Qendra e 13-të Informuese për Shëndetin e Gruas edhe në Obiliq
Në një ceremoni zyrtare janë hapur dyert e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas “Klasat për Nëna” në Obiliq, në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QKMF).
Kjo iniciativë është bërë e mundshme falë financimit të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë dhe bashkëpunimit me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Obiliqit dhe fondacionit Action for Mothers and Children.
Qendra e 13-të “Klasat për Nëna” e hapur tani edhe në Obiliq do të ofrojë shërbime edukative, aktivitete të mirëqenies fizike dhe psiqike, informacione këshilluese për kujdesin para dhe pas lindjes, depresionin e pas lindjes, ushqyerjen me gji, kujdesin për të sapolindurin, të ushqyerit e foshnjës, imunizimin si dhe kujdesin ndaj fëmijës.
“Duke e marr parasysh rëndësinë që qasja në informata shëndetësore ka për shëndetin e gruas dhe fëmijëve, ne po angazhohemi që përmes Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas të jemi sa më afër prindërve të rinj në mënyrë që t’iu japim këshilla për një shtatzëni të shëndetshme dhe rritje sa më të mirë të foshnjës. Kjo qendër, në fokus të veçantë do të ketë komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas që jetojnë në Obiliq, ku edhe qasja e këtyre komuniteteve në shërbime shëndetësore është e limituar për shkak të kushteve socio-ekonomike”, u shpreh Vlorian Molliqaj nga Action for Mothers and Children
Qendra Informuese në Obiliq është e hapur çdo ditë pune për të gjitha gratë e vajzat e Komunës së Obiliqit, si dhe partneret e tyre.
/Epoka e re/