Hapet rruga për fillimin e investimeve nëpër komuna në projektin e efiçiencës së energjisë
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerim Kuçi dhe drejtori menaxhues i Fondit Kosovar për Efiçiencë të Energjisë, Admir Shala, kanë nënshkruar të premtën marrëveshjën për Efiçiencë të Energjisë.
“Efiçienca e Energjisë konsiderohet nga Qeveria e Kosovës një komponentë thelbësore e planifikimit strategjik dhe ekonomik si dhe për zhvillimin e Kosovës, prandaj është përcaktuar të kontribuojë drejt arritjes së caqeve për EE, duke krijuar për qytetarët stimuj në kursimin e energjisë, por edhe për tregjet e hapura dhe aplikimin e bizneseve të reja për EE teknologjitë”, thuhet në komunikatën e MZhE-së.
Sipas kësaj komunikate, si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe si nënshkruese e Marrëveshjes së Stabilizim Associimit (MSA), Kosova është obliguar që t’i transpozojë dhe zbatojë Acquis Communautairei që ndërlidhen me Efiçencën e Energjisë. Republika e Kosovës dhe institucionet e saj përgjegjëse në fushën e EE kanë shprehë vullnetin e tyre drejt përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.
“Tanimë është funksionalizuar Fondi i Kosovës për Efiçencë të Energjisë sipas ligjit për Efiçencë të Energjisë, Kosova është shteti i parë ne rajon që themelon një mekanizëm financiar për masat e Efiçencës se Energjisë në të gjithë sektorët e konsumit të energjisë. Me ratifikimin e marrëveshjes të datës 15 janar 2015 ndërmjet Republikës së Kosovës (Pranuesi) dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim në vlerë 31 milionë dollarë, me zbatimin e suksesshëm të Projektit të Kosovës për Efiçencë të Energjisë dhe Burime të Rinovueshme (PKEEER), Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit përmes Agjencisë se Kosovës për Efiçencë të Energjisë ka shprehur gatishmërinë që pakon e fundit për komunat ta zbatojë përmes Fondit të Kosovës për Efiçencë te Energjisë përmes kësaj marrëveshje, vlera e së cilës është 5 milionë euro”, thuhet tutje në komunikatën e MZhE-së.
Sipas kësaj komunikate, me qëllim për ta zgjeruar fushën e programit në bazë më të qëndrueshme me krijimin e Fondit të Kosovës për Efiçencë te Energjisë ristrukturimi i PKEEER do të këtë financim shtesë që do të kanalizojnë 10,37 milionë dollarë amerikanë në fondet e grantit të Instrumentit të BE-së për Para-Anëtarësim (IPA II prej 9.6 milionë euro në fushën e efiçencës së energjisë. “Nga ky fond do te përfitojnë te gjitha komunat e Kosovës, në sektorin e Arsimit, Shëndetësisë, Administrativ dhe të tjera sektorë dhe më e rëndësishmja është se do të krijojë një strukturë të përhershme institucionale si mekanizëm financiar që mund të vazhdojë me renovimin e ndërtesave publike, dhe përfundimisht të zgjerohet në sektorin rezident, si p.sh. blloqe apartamentesh dhe shtëpi individuale, si dhe do te zgjerohet edhe ne sektorin e privat të bizneseve”.