Hapet sezonit turistik vjeshtë-dimër, institucionet premtojnë mbështetje për turizmin
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka organizuar të dielën Ditën Botërore të Turizmit, me ç’rast është bërë edhe hapja e sezonit turistik vjeshtë-dimër. Ky aktivitet është mbajtur në moton “Të ecim shtigjeve të Dardanisë”
Në këtë aktivitet i cili është mbajtur në Brod të Dragashit është thënë se fuqizimi i turizmit do të ndikojë drejtpërdrejtë në krijimin e vendeve të punës.
Në këtë kontekst, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë janë zotuar se do ta mbështesin sektorin e turizmit.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, ka thënë se qeveria Hoti do ta ketë prioritet turizmin
Ajo ka vlerësuar se zhvillimi i turizmit sjell fitime ekonomike dhe vende të reja të punës.
“Sot jemi për të shënuar Ditën Botërore të Turizmit që hap zyrtarisht turizmin në Kosovë dhe uroj të kemi sukses pavarësisht gjendjes në të cilën jemi. Ky takim po mbahet pas dy ditë të mbledhjes së dy qeverive tona që u takuam në Tiranë dhe uroj që si ajo ditë që ishte produktive edhe ky takim të dalë me rezultat të mira. Situata krijon shumë rreziqe për turizmin dhe zhvillimin e turizmit. Zhvillimi i turizmit sjell fitime ekonomik dhe vende të reja të punës. Si qeveri do t’i japim prioritet të veçantë turizmit vjeshtë dimër në Kosovë”, është shprehur Balaj-Halimaj.
Më tutje, Balaj-Halimaj ka kërkuar që shqiptarët e Shqipërisë t’i kalojnë pushimet vjeshtë-dimër në Kosovë.
Ndërsa ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka thënë se së bashku me homologun shqiptar, Blendi Klosi, janë duke u përpjekur që të promovojnë vendet turistike të Kosovës dhe Shqipërisë.
Me këtë rast, Krasniqi ka ftuar bizneset që të investojnë në fushën e turizmit në Kosovë dhe Shqipëri. “Duke parë se turizmi në vendet tona ka potencial të madh për të ju ofruar vizitorëve, ne dy ministrat jemi dakorduar që të bëjmë promovimin e vendeve së bashku. Jemi duke punuar për të krijuar guida për vizitorët. Sektori i turizmit është mjaft i rëndësishëm në vendin tonë dhe unë jam përkushtuar që përmes dikasterit që drejtoj duke rritur buxhetin në fushën e turizmit. I ftoj bizneset nga vendi ynë dhe jashtë që të investoj ë në fushën e turizmit në këto dyja vendet”, është shprehur Krasniqi.
Në anën tjetër, ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi, ka shtuar se kufiri administrativ nuk duhet të jetë problem për promovimin e destinacioneve turistike në mes të dy shteteve. “E kemi thënë shpesh se si turizmi në vendet tona duhet të shndërrohet në një industri e cila çdo ditë mund të ofrojë punësim, dhe në fund të fundit ne kemi shukë nevojë të promovojmë në mënyrë të përbashkët një destinacion që nuk ka arsye të ketë ndarje nga një kufi administrativ. Ky sot dëshmoi se sa të fortë bëhemi kur jemi së bashku”, ka thënë Klosi.
Më tutje, kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, ka thënë se Brodi është qendra më e madhe turistike dhe ofron kushte të mira për skijim.
“Dragashi është e vetmja komunë që është e vendosur brenda maleve. Terrenet për skijim janë shumë të përshtatshme. Brodi është qendra më e madhe dhe kushtet janë të mira”, ka thënë Shabani.
Kurse kryetari i Bashkësisë së Vlorës, Dritan Leli, ka thënë se mbledhja e dy qeverive ka treguar që ka sjellë produkt konkret sa i takon turizmit.
“Radha jonë është që në sezoni turistik vjeshtë-dimër të vizitojmë bjeshkët dhe të vizitojmë shqip. Mbledhja e dy qeverive tregoi që ne dikë të flasim gjuhe. e përbashkët dhe të bëjmë punë që shoqërojnë produkt”, është shprehur Leli.
Në këtë aktivitet ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka. Ai ka thënë se për këtë vit prioritet i komunës që drejton ka qenë zhvillimi i turizmit, mirëpo pandemia ka pasur ndikimin e saj.
“Turizmi është sektor shumë i rëndësishëm për Kosovën. Krijimi i vendeve të punës nuk është vetëm në hoteleri por edhe në bujqësi dhe në prodhimin e ushqimit. Ne si komunë e kemi shpall prioritet zhvillimin e turizmit por pandemia na goditi”, është shprehur Haskuka.
Krejt në fund, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se mbledhja e dy qeverive ka qenë e rëndësishme për fushën e ekonomisë mbarëshqiptare.
“Mbledhja e fundit është e rëndësishme për një bashkëpunim në fushën e ekonomisë. Ka shumë rëndësi që ne të shikojmë për të ardhmen dhe kapacitet hoteliere”, ka deklaruar ambasadori Minxhozi.