Hapet shkolla shqipe në Rozhajë, Edi Rama: Abazoviqi, ma i miri i të tanëve
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka lëvduar homologun e tij në Mal të Zi, Dritan Abazoviqin, për, siç tha, punën e suksesshme që është duke bërë atje.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Rama ka folur për shkollën shqipe që është ndërtuar në Rozhajë të Malit të Zi.
“Nga sot, vogëlushët në Rozhajë të Malit të Zi do të marrin dije në gjuhën shqipe në shkollën e sapo përuruar nga miku im, Dritani, ma i miri i të tanëve”, ka thënë Rama.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka hapur shkollën e vetme në Rozhajë e cila mban mësim në gjuhën shqipe. Në ceremoninë e hapjes së kësaj shkolle pas rindërtimit, Abazoviq mori pjesë bashkë me ministrin malazez të Arsimit, Miomir Vojinoviq.
“Së bashku me ministrin e Arsimit #MiomirVojinoviq dhe ministrin e Administratës Publike #MarashDukaj po hapim një shkollë të rikonstruktuar në Rozhajë, IP ShF Dacaj. Kemi të bëjmë me shkollën e vetme në Rozhajë që mban mësim në gjuhën shqipe. Sot është hera e parë në histori që kjo shkollë vizitohet nga kryeministri”, bëri të ditur Abazoviqi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.