Hapet thirrja për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për familje
Ministria e Ekonomisë ka hapur thirrjen publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për shtëpi dhe banesa të financuara nga Bashkimi Evropian në Kosovë (BE).
Masat e prezantuara synojnë mbështetjen e konsumatorëve familjarë, në veçanti konsumatorët në nevojë si investimi në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, e të cilat përfshijnë: Pompë termike, kondicioner/ klimë efiçiente, kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), dhe stufa individuale me biomasë.
Vlera e subvencionimit për një pajisje pompë termike është 30% e vlerës investive, apo deri në 2,000.00 euro.
Kondicioner/ klimë, vlera e subvencionimit për një pajisje është dyzet 40% e vlerës investive, apo deri në 400.00 euro. Për prindërit vetushqyes dhe qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria 1 dhe 2) subvencionohet 60% e vlerës investive dhe deri në 550.00 euro.
Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), subvencionohet 70% e vlerës investive dhe deri në 1200.00 euro.
Ndërsa, stufa individuale me biomasë, vlera e subvencionimit për një pajisje është 70% e vlerës investive dhe deri në 435.00 euro. Për prindërit vetushqyes dhe qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria 1 dhe 2) subvencionohet 90% e vlerës investive, apo deri në 560.00 euro.
Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se pajisjet që blihen para datës së shpalljes së thirrjes, nuk do të subvencionohen. “Qytetarët që kanë qenë përfitues të subvencionit për blerjen e pajisjeve ngrohëse efiçiente, të njërës nga thirrjet publike: thirrjes publike Nr. 02/2022, më datë 06.10.2022; thirrjes publike Nr.03/2022, më datë 18.11.2022, ose; thirrjes publike Nr.03/2023, më datë 22.09.2023, nuk kanë të drejtë të aplikojnë për subvencionim për pajisjet ngrohëse efiçiente në kuadër të thirrjes publike Nr. 05/2024”, ka njoftuar Ministria e Ekonomisë.
Afati për aplikim është 30 ditë kalendarike nga dita që hapet thirrja, pra deri më 11 tetor të vitit 2024, ose deri në shpenzimin e buxhetit të alokuar për këtë thirrje. “Aplikimet e pranuara do të shqyrtohen bazuar në parimin kush aplikon i pari, shërbehet i pari, andaj inkurajoheni të aplikoni sa më herët”, ka njoftuar Ministria e Ekonomisë.