Hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, prioritet i Kroacisë
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka kërkuar që të jepet mesazhi i qartë se procesi i negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor përfundon me anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian.
Gjatë prezantimit të programit të presidencës kroate të BE-së Plenkoviq ka thënë se “qëllimi i fundit i negociatave duhet të jetë anëtarësimi në BE. Kjo është në qendër të politikës së zgjerimit”.
Ai ka shpjeguar se organizimi i samitit BE-Ballkani Perëndimor në Zagreb dhe hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të jenë prioritet kryesor i vendit të tij gjatë Presidencës së BE-së.
“Ne nuk e fshehim ambicien tonë për të mbështetur vendet anëtare që të hapin negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Raporti i radhës i Komisionit Evropian dhe propozimet për përmirësimin e metodologjisë së procesit të negociatave do të jenë thelbësore në këtë drejtim”, është shprehur Andrej Plenkoviq./Top Channel/