Haradinaj: 10 vjet shtet, Kosova ka mësuar një mori leksionesh
Kosova feston me 17 shkurt 10-vjetorin e Pavarësisë. Në një intervistë për “Tagesspiegel” kryeministri Ramush Haradinaj ka folur për të arriturat dhe sfidat e shtetit të Kosovës.
Haradinaj ka thënë se gjatë këtyre viteve Kosova ka mësuar një mori leksionesh. “Lindja e një kombi nuk është proces i lehtë. Kosova ka mësuar një mori leksionesh. Ne duhet ta përmirësojmë punën qeverisëse, shtetin e së drejtës, ekonominë. Ne jemi aty ku jemi. Mirëpo ne nuk dorëzohemi dhe duhet t’u dalim në ballë problemeve. Sepse ky është vendi ynë dhe një vend tjetër për të jetuar nuk e kemi”, ka thënë Haradinaj.
I pyetur nëse e kupton dëshpërimin e qytetarëve të Kosovës, Haradinaj është përgjigjur: “Është e vërtetë që në Kosovë ka shumë gjëra me të cilat njeriu nuk mund të jetë i lumtur. Kosova nuk është vepër e kryer krejtësisht. Institucionet qeveritare duhet që në luftën kundër korrupsionit ta fitojnë besimin e qytetarëve. Duhet të sjellim më shumë investitorë në vend, duhet t’i përmirësojmë resurset tona dhe ta shfrytëzojmë më mirë potencialin tonë”.
Në këtë intervistë, Haradinaj ka folur edhe për Gjykatën Speciale, liberalizimin e vizave dhe dialogun me Serbinë.