Haradinaj: AAK-ja angazhohet për komuna të forta
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim kryetarin e kësaj partie në Kamenicë, njëherësh nënkryetar komune, Faton Jakupi me bashkëpunëtorë.
Haradinaj ka bërë me dije se në këtë takim diskutuan për procesin e dialogut në Shtëpinë e Bardhë dhe rëndësinë e takimit të 4 shtatorit për të ardhmen e Kosovës.
“Përderisa vendi ynë po kalon një periudhë të vështirë ekonomike, Faton Jakupi me bashkëpunëtorë, ka dhënë shembull të mirë pune, në dobi të qytetarëve të Kamenicës. I sigurova për mbështetjen time të plotë dhe inkurajova Fatonin e kolegët nga AAK, që si pjesë e qeverisjes vendore, të vazhdojnë punën dhe kontributin e tyre të shkëlqyer atje, në menaxhimin e pandemisë dhe mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se AAK-ja angazhohet për komuna të forta e me më shumë kompetenca. “Banorët dinë më së miri për çka kanë nevojë dhe janë më të aftë për menaxhimin e problemeve me të cilat ballafaqohen”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj.
(Q.R / Epoka e re)