Haradinaj: AAK-ja e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit për formimin e Qeverisë.
Në 20-vjetorin e themelimit të AAK-së, kreu i kësaj partie Ramush Haradinaj ka thënë se kjo parti ka qenë pjesëmarrëse e të gjitha proceseve që ka kaluar Kosova.
“Aleanca e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese me përpikëri”, ka thënë Haradinaj.
“AAK ka qeverisur në dy mandate. Në mandatin e parë është krijuar MPB dhe ajo e Drejtësisë kompetencë e marrë nga UNMIK. Në drejtimin e AAK kemi vendosur themelet e pavarësisë së Kosovës, ju kujtohet standardet para statusit, gjë e cila ka kulmuar me pavarësinë e Kosovës. Në planin lokal AAK ka qenë ndër partitë më të suksesshme ajo ka qeverisur e bashkëqeverisur në të gjitha komunat. Sot AAK udhëheq me 7 komuna dhe bashkëqeverisje me po aq”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka falënderuar përkrahësit e kësaj partie që i kanë qëndruar pranë.
“Njerëz të moshave e profileve të ndryshme që janë shumë e vazhdimisht kanë ardhur. Shtëpia është e zotit dhe e mikut, Kosova sa është e jona është edhe e miqve tanë. Gëzuar AAK, gëzuar Kosovë”, ka deklaruar Haradinaj.