Haradinaj: AAK-ja, parti që karakterizohet me realen, ballafaquesen dhe besnikërinë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, me rastin e 18-vjetorit të themelimit të kësaj partie, ka thënë se Aleanca karakterizohet me realen, ballafaquesen dhe besnikërinë.
“Realja, kur kemi dalë në skenë politike, atëherë ishin dy forca politike – LDK-ja dhe PDK-ja që shtyheshin me njëra-tjetrën. Përballja, për ne ikja nuk është zgjidhje, tërheqja nuk është zgjidhje, fshehja nuk është zgjidhje, problemeve u rrimë përballë, pra jemi përballur çdoherë me to. Nuk u frikësohemi as së tashmes dhe as së ardhmes. Kjo është karakteristika jonë e përballjes. Aleanca e ka pasur guximin kur ka bërë koalicion në 2004-n me ish-presidentin Rugova. Çdoherë do ta kemi guximin për t’u pajtuar në interes të vendit tonë. Besnikëria, Aleanca kur thotë po, ashtu mbetet. Këto tri vlera i kemi bërë reale në politikë”, ka thënë Haradinaj, i cili mban postin e kryeministrit të vendit.
Sipas tij, të tri këto karakteristika e kanë bërë AAK-në të jetë vetvetja dhe partnere e të tjerëve.
Në 18-vjetorin e themelit të AAK-së ishin të pranishëm lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, përfaqësues të tjerë të partive të tjera politike, deputetë të Listës Serbe dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme që veprojnë në Kosovë.
/Epoka e re/