Haradinaj: Absurde që sot po gjykohen çlirimtarët, ende s’është vendosur drejtësia mbi shumë masakra të kryera nga Serbia
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në nderim dhe kujtim të të rënëve në Celinë, Fortesë e Brestoc të Rahovecit.
Haradinaj ka thënë se është absurde që sot në liri po gjykohen çlirimtarët, e ende nuk ka drejtësi për shumë masakra të kryera nga shteti fashist serb.
“Fëmijë, gra e pleq të pambrojtur u masakruan pa mëshirë para njëzetepesë vjetësh nga regjimi barbar i Millosheviqit. Sot, në nderim të Dëshmorëve dhe Martirëve të lirisë, bashkë me kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifi, bashkëluftëtarë e kolegë, u bashkuam me familjet që i kujtuan me krenari më të dashurit e tyre; 75 të rënët në Celinë, 68 të rënët në Fortesë dhe 54 të rënët në Brestoc. Është absurde që sot në liri po gjykohen çlirimtarët ndërsa ende nuk është vendosur drejtësia mbi shumë masakra të kryera nga shteti fashist serb, në civilë të pambrojtur. Sakrifica e tyre mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë historike! Lavdi!”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.