Haradinaj adreson akuza të rënda për qeverinë dhe Kurtin
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka adresuar akuza të rënda ndaj qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti, duke numëruar disa nga dështimet
Ai ka thënë se Kosova është në sanksione për shkak të qasjes së Albin Kurtit.
Haradinaj ka akuzuar Kurtin për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara me Serbinë dhe për tenderët njëburimorë.
Po ashtu, Haradinaj ia ka përmendur Kurtit edhe statusin e veteranit të UÇK-së.
“E ka marrë statusin e ‘Veteranit Luftëtar’ pa e veshur kurrë uniformën e UÇK dhe pa prekur kurrë armë me dorë, siç e parasheh ligji. Kjo s’ka qenë e lehtë, por është historike përnjëmend edhe goxha njëfarë grope”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Postimi i plotë:
Gropat e zeza buxhetore dhe “arritjet historike” të qeverisë
– Kosova është nën sanksione të BE-ja dhe ShBA-ja dhe kjo është e paparë dhe historike. Dëmi deri tash, rreth 300 milionë euro, pra gropë e madhe e buxhetit dhe bajagi historike.
– Albini e ka implementuar marrëveshjen e 2013-tës për stickersa, targa të veturave dhe sot paska thënë edhe marrëveshjen për energji dhe kjo është historike.
– E ka marrë statusin e “Veteranit luftëtar” pa e veshur kurrë uniformën e UÇK dhe pa prekur kurrë armë me dorë, siç e parasheh ligji. Kjo s’ka qenë e lehtë, por është historike përnjëmend edhe goxha njëfarë grope.
– Mbi 250 milionë tenderë njëburimorë (vrima të lavdishme buxhetore) për dosta e miq, janë historike por aspak për të mirë dhe organet e drejtësisë herët a vonë do të kenë shumë punë.
– Asnjë njohje për 4 vjet qeverisje, asnjë anëtarësim.
– Sipas ASK-së qeveritare gjatë qeverisjes së Kurtit, mbi 200 mijë qytetarë e kanë braktisur Kosovën, ani se për filozofët e qeverisë, Kosovën po e braktisin gjyshet!
Gropa apo vrima të mëdha këto që ky kryeministër e kjo qeveri, nuk kanë as dije, as vullnet e as kohë t’i sanojnë. Ata tash janë orientuar nga zgjedhjet e radhës që janë mashtrimi i radhës.