Haradinaj: Agjenda evropiane, interes strategjik i Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në mbledhjen e Këshillit ministror për integrim evropian ka kërkuar nga vartësitë e tij që t’i trajtojnë me prioritet rekomandimet e dala nga Raporti i Progresit në lidhje me zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA).
Ai ka thënë se ndonëse nuk është e lidhur drejtpërdrejt, kjo agjendë ndikon edhe në liberalizimin e vizave.
“Tema e takimit është zbatimi i agjendës së reformave evropiane dhe jemi në prag të vendimeve të rëndësishme siç është lëvizja e lirë. Implementimi i shpejtë dhe efikas i obligimeve që dalin nga kontrata jonë. Të trajtohen me prioritet të shtuar të gjitha rekomandimet e dala nga raporti i vendit. Agjenda evropiane është interes strategjik i yni, është qëllim në vete si i tillë, por ndërlidhet edhe me liberalizimin e vizave dhe e rritë presionin mbi qeverinë që të fokusohemi në zbatim”, ka deklaruar Haradinaj.