Haradinaj: Agroindustria e Kosovës po e zë vendin e respektuar në tregjet evropiane
Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka thënë se agroindustria e Kosovës po e zë vendin e respektuar në tregjet evropiane.
Sipas tij, shembull i mrekullueshëm është kompania e kultivimit dhe shitjes së frutave e perimeve “Luna” në Junik, investim nga diaspora.
“E themeluar nga Delvina Krasniqi, kjo kompani për një kohë të shkurtër ka arritur rezultate impresive, duke u shndërruar në njërin prej plantacioneve më të mëdha të kultivimit të frutave në vend. Familja Krasniqi ka në pronësi edhe kompanitë “German Plast” dhe “Joos Krasniqi”, për veprimtarinë dhe rezultatet e të cilave u njoftova nga pronari i tyre, Zenuni”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se prodhuesin dhe bizneset vendore i kanë vendosur si prioritet, duke ndërmarrë një varg masash mbrojtëse, që rezultuan me ngritje të cilësisë, zgjerim të kapaciteteve dhe shtim të vendeve të reja të punës.
“Fuqia e Kosovës sipas konceptit 100% shtet matet me parametrat ekonomik, prodhimin vendor dhe konkurrueshmëri në tregun botëror”, është shprehur Haradinaj.
/Epoka e re/