Haradinaj akuzon Kurtin, Vitinë dhe Sveçlën për shpërfilljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese
Ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se shkelja recidiviste e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi nga kryeministri në largim, Albin Kurti, ministri në largim, Arben Vitia dhe u.d i ministrit në largim, Xhelal Sveçla, kanë shkaktuar pasoja në shumë drejtime dhe atë deri në humbjen e jetës së një të riu.
“Kushtetuta dhe ligjet e aplikueshme të Kosovës janë në fuqi që të ruajnë rendin kushtetues, jetën dhe të drejtat e njeriut. Shkelja recidiviste e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi nga kryeministri në largim, Albin Kurti, ministri në largim, Arben Vitia dhe u.d i ministrit në largim, Xhelal Sveçla, fatkeqësisht shkaktuan pasoja në shumë drejtime deri edhe në humbjen e jetës së një të riu”.
“Qeveria në largim, me qasje të njëanshme dhe autoritare shpërfilli vendimet e Gjykatës Kushtetuese, shpërfilli ligjet dhe protokollet për ofrim të ndihmës të domosdoshme shëndetësore. I bëj thirrje Qeverisë në largim që të kthehet në kushtetutshmëri e respektim të ligjeve që të ruhet rendi kushtetues, ligjshmëria dhe jeta e qytetarëve të vendit”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”. /Epoka e re/ L.G/