Haradinaj alarmon për situatën në KQZ: Po tentohet të ndryshohet vullneti i qytetarëve

11 shkurt 2025 | 20:32

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar rreth situatës së fundit të dështimit të sistemit të KQZ-së.

Haradinaj ka shkruar në “Facebook” se për herë të parë në historinë e Kosovës së pavarur, rezultatet preliminare të zgjedhjeve nuk dihen as pas 24 orëve.

“Kapja e institucioneve të pavarura nga qeveria Kurti ka arritur kulmin me dështimin e plotë të sistemit të KQZ-së në zgjedhjet parlamentare. Për herë të parë në historinë e Kosovës së pavarur, rezultatet preliminare të zgjedhjeve nuk dihen as pas 24 orëve. Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e zëvendësimit të kuadrove profesionale me militantë partiakë dhe angazhimi i kompanive të teknologjisë informative përmes tenderëve të dyshimtë njëburimor”.

“Raportimet që po marrim nga terreni dëshmojnë për një skemë të organizuar të manipulimit të rezultateve zgjedhore. Përmes kontrollit politik të KQZ-së dhe ‘sistemit të dështuar teknik’ i cili po ndodh qëllimshëm, po tentohet të ndryshohet vullneti i qytetarëve. Kjo është goditje e rëndë ndaj demokracisë dhe vlerave për të cilat kemi luftuar”, ka shkruar Haradinaj.

“Ne qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të votës së lirë dhe sistemit demokratik. Nuk do të lejojmë që vota e qytetarëve të tjetërsohet përmes skemave manipulative. Do të përdorim të gjitha mekanizmat institucionalë dhe ligjorë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e sovranit. I bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që me urgjencë të marrin masa dhe të hetojnë manipulimet e deritashme dhe të parandalojnë degradimin e mëtejshëm të procesit”, ka theksuar Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në sallën “1 Teori”, në Qendrën Komunale të Numërimit, në…