Haradinaj: Me aneks marrëveshjen e arritur do të korrigjohet demarkacioni
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se është arritur aneks marrëveshja për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi.
“Sot u vulos që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit do të rishikohen dhe korrektohen”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Në këtë jubile të Pavarësisë së Kosovës, jam i lumtur që sot u arrit aneks-marrëveshja për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi. Sot u vulos që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit do të rishikohen dhe korrektohen.
Deklarata e përbashkët e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq, në formën e aneks -marrëveshjes si instrument ligjor obligativ ndërkombëtar, i jep epilog një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë tonë.
Me këtë po përfundojmë obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tonë.
Urime Kosovë!